Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve në shkollën 9-vjeçare “Ismail Qemali”, e cila po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë me synimin për t’u përshtatur me standardet moderne të infrastrukturës arsimore.
Gjatë inspektimit, kryebashkiaku Beci u shpreh se punimet po avancojnë me ritme të mira dhe se objektivi mbetet përfundimi i investimit para nisjes së vitit të ri shkollor. Sipas tij, rreth 900 nxënës do të kenë mundësinë të zhvillojnë procesin mësimor në ambiente tërësisht të transformuara dhe me kushte bashkëkohore.
Rikonstruksioni i shkollës “Ismail Qemali” përfshin përmirësimin e ambienteve të brendshme dhe të jashtme, duke synuar krijimin e një infrastrukture më funksionale, të sigurt dhe të përshtatshme për nevojat e nxënësve dhe stafit pedagogjik.
Ky investim është pjesë e strategjisë së Bashkisë Shkodër për forcimin e infrastrukturës arsimore në qytet, me fokus krijimin e kushteve më të mira për edukimin e brezave të rinj dhe rritjen e cilësisë së procesit mësimor.
