Mesfushori Esat Mala nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë. Lajmi është bërë i ditur nga klubi shkodran përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e falënderon futbollistin për kontributin e dhënë gjatë katër sezoneve me fanellën kuqeblu.
Në mesazhin e publikuar, Vllaznia vlerëson përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificën e Malës, duke e cilësuar atë si një pjesë të rëndësishme të familjes kuqeblu. Klubi thekson se lojtari ka dhënë gjithmonë maksimumin në fushën e lojës dhe ka kontribuar me karakterin e tij gjatë gjithë periudhës në Shkodër.
“Faleminderit për gjithçka, Esat! Shkodra do të të mirëpresë gjithmonë si mik”, shkruhet në mesazhin përshëndetës të Vllaznisë.
Largimi i Esat Malës është një tjetër lëvizje në merkaton verore të kuqebluve, teksa skuadra po përgatitet për sezonin e ri dhe sfidat europiane që e presin në Conference League.
