Dhjetëra automjete të ardhura nga vende të ndryshme të Europës mbërritën këtë të shtunë në Shkodër, si pjesë e autokolonës së diasporës shqiptare që po udhëton drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës qytetare të paralajmëruar për mbrëmjen e 20 qershorit.
Automjetet, të stolisura me flamuj kombëtarë, u ndalën për disa minuta në hyrje të qytetit tek ura e re e Bunës, ku pjesëmarrësit shprehën mbështetjen e tyre për protestuesit që prej javësh janë aktivë në kryeqytet. Ata thanë se kanë udhëtuar nga shtete të ndryshme europiane për t’u bërë pjesë e tubimit dhe për të përcjellë mesazhet e tyre politike dhe qytetare.
Disa nga pjesëmarrësit në autokolonë deklaruan se prania e diasporës në protestë synon të mbështesë të rinjtë që prej ditësh po protestojnë në Tiranë dhe t’i dërgojnë një mesazh qeverisë për nevojën e ndryshimeve politike në vend.
Autokolona vijoi më pas udhëtimin drejt Tiranës, ku pritet t’i bashkohet protestës së organizuar në mbrëmje.
