Në kuadër të Javës së Shoqërisë Civile 2026, Shoqata “Mbro Traditën, Krijo të Ardhmen” organizoi aktivitetin me temë “Zërat që formësuan qytetarinë shkodrane”, një nismë që solli në vëmendje figura, vlera dhe kontribute që kanë ndikuar në identitetin kulturor dhe qytetar të Shkodrës ndër vite.

Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrjen e studiuesve, intelektualëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, të cilët ndanë reflektime mbi historinë, kulturën dhe rolin e gruas në zhvillimin e qytetit.

Në panelin e kumtesave, Zenepe Dibra trajtoi historinë e shoqatës së parë të grave shqiptare, e themeluar në vitin 1920 nga intelektualja shkodrane Shaqe Çoba, duke evidentuar rolin e saj në emancipimin dhe organizimin e grave shqiptare.

Ndërkohë, Merita Bërdica referoi mbi temën “Shkodra mbi vlerat e saj shekullore”, duke ndalur fokusin te traditat, trashëgimia dhe identiteti qytetar që e kanë shoqëruar ndër breza këtë qytet.

Poetja Arjola Zadrima prezantoi kumtesën “Shkrimtarët që qëndisën Shkodrën përmes fjalës”, ku solli në vëmendje figurat letrare që kanë pasqyruar dhe promovuar shpirtin e qytetit përmes krijimtarisë së tyre.

Një moment i veçantë i aktivitetit ishte ceremonia e ndarjes së certifikatës së mirënjohjes për Zenepe Dibrën, në vlerësim të kontributit të saj në jetën shoqërore dhe kulturore.

Pjesë e programit ishin edhe dy esetë fituese të konkursit të organizuar nga shoqata me temë “Të rinjtë dhe hapësirat qytetare”, duke i dhënë zë ideve dhe vizionit të brezit të ri për qytetin dhe të ardhmen e tij.

Përmes këtij aktiviteti, Shoqata “Mbro Traditën, Krijo të Ardhmen” riafirmoi misionin e saj për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, fuqizimin e komunitetit dhe ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e identitetit dhe vlerave qytetare.