Sezoni veror ka rritur interesin e qytetarëve për të kaluar pushimet pranë bregdetit. Mes destinacioneve më të preferuara renditen Velipoja dhe Shëngjini, dy nga zonat turistike më të frekuentuara në veri të vendit.

Qytetarët thonë se afërsia me këto destinacione, infrastruktura e përmirësuar rrugore dhe mundësitë që ato ofrojnë për pushim e relaks i bëjnë zgjedhjen e tyre të parë gjatë muajve të verës. Ka nga ata që preferojnë të kalojnë fundjavat pranë detit, por edhe të tjerë që planifikojnë pushime disaditore.

Përveç plazhit dhe natyrës, vlerësime marrin edhe kushtet e krijuara për pushuesit. Sipas qytetarëve, kostot e pushimeve mbeten të arsyeshme, ndërsa zhvillimi i zonave turistike ka ndikuar në rritjen e interesit për bregdetin e veriut.

Me temperaturat në rritje dhe sezonin turistik në kulm, Velipoja dhe Shëngjini pritet të mirëpresin një numër të lartë vizitorësh gjatë gjithë verës, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tyre si ndër destinacionet më të kërkuara në vend.