Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Shkodër është renditur e dyta në shkallë vendi për numrin e vendimeve të legalizimit të miratuara gjatë vitit 2026. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në pesë muajt e parë të vitit janë miratuar 1,294 vendime legalizimi, një rezultat që sipas këtij institucioni përbën nivelin më të lartë të arritur ndonjëherë në Qarkun Shkodër që prej nisjes së procesit të legalizimeve në vitin 2006.

Drejtues të këtij institucioni shprehen se përshpejtimi i shqyrtimit të dosjeve të mbartura ndër vite, ka qënë në fokus me synimin për t’u dhënë zgjidhje përfundimtare mijëra qytetarëve që presin formalizimin e pronave të tyre.

Procesi po zhvillohet njëkohësisht në të pesë bashkitë e Qarkut Shkodër. Për Bashkinë Shkodër, fokusi gjatë dy muajve të ardhshëm do të jetë përmbyllja e procedurave në njësitë administrative Ana e Malit, Dajç dhe Rrethina, të cilat janë përcaktuar si zona prioritare.

Ndërkohë, Bashkia Fushë-Arrëz po i afrohet përfundimit të plotë të procesit të legalizimit, duke mbyllur një pjesë të konsiderueshme të dosjeve të trashëguara prej vitesh.

DVASHK bën të ditur se paralelisht me legalizimet, po vijon edhe procesi i pajisjes me tituj pronësie për kullat e vjetra të qarkut, si dhe për objektet e ndërtuara para vitit 1991. Ky proces pritet të zgjidhë përfundimisht çështjet e pronësisë për një numër të madh familjesh.

Një tjetër element i rëndësishëm sipas kesaj zyre është edhe komunikimi elektronik me qytetarët. Vendimet e legalizimit tashmë po u dërgohen aplikantëve përmes platformës e-Albania, duke reduktuar procedurat administrative dhe duke rritur transparencën në ofrimin e shërbimeve.

Megjithatë, institucionet hasin ende vështirësi në kontaktimin e disa aplikantëve, pasi një pjesë e tyre nuk përdorin më numrat e telefonit të regjistruar vite më parë në dosje. Për këtë arsye, qytetarëve u kërkohet të përditësojnë të dhënat e kontaktit, në mënyrë që procesi i verifikimeve në terren të mos përballet me vonesa.

DVASHK Shkodër gjithashtu bën të ditur se ështl duke synuar përmbylljen sa më të shpejtë të proçesit të legalizimit në Qarkun Shkodër dhe garantimin e sigurisë juridike për pronat e qytetarëve.