Futbolli vazhdon të mbetet sporti më i dashur në Shkodër dhe këtë e dëshmon edhe angazhimi i dhjetëra fëmijëve e të rinjve në akademitë sportive të qytetit. Një prej tyre është akademia “Djelmnia Shkodrane”, ku aktualisht stërviten rreth 120 futbollistë të grupmoshave 7 deri në 17 vjeç. Akademia është pjesë e strukturave të futbollit në Shkodër dhe prej vitesh kontribuon në edukimin dhe formimin sportiv të talenteve të reja.  

Trajneri Astrit Premçi vlerëson përkushtimin e prindërve, të cilët shpeshherë përballen edhe me vështirësi ekonomike për t’u krijuar fëmijëve mundësinë të ndjekin pasionin e tyre për futbollin. Sipas tij, talentet e reja kanë nevojë për më shumë mbështetje dhe hapësira aktivizimi për të zhvilluar potencialin e tyre.

“Shkodra është një qytet që e do futbollin dhe për këtë arsye masiviteti është gjithmonë i pranishëm. Interesi i të rinjve për këtë sport vazhdon të jetë shumë i madh”, shprehet Premçi.  

Edhe trajneri i moshave, Rigers Xhahysa, ndalet te një problem që sipas tij ndikon në cilësinë e brezave të rinj: mungesa e futbollit të lagjeve. Ai thekson se dikur fëmijët kalonin orë të tëra duke luajtur në hapësirat e lagjeve, ndërsa sot kjo traditë është zbehur ndjeshëm.

Vetë fëmijët e akademisë tregojnë se futbolli është pasioni i tyre më i madh dhe se ëndërrojnë një ditë të luajnë në nivelet më të larta, me dëshirën për të ndjekur gjurmët e futbollistëve që kanë dalë nga Shkodra.

Mes sukseseve dhe sfidave, futbolli i moshave vijon të mbetet një nga bazat më të rëndësishme për të ardhmen e sportit në qytetin që njihet si djepi i futbollit shqiptar.