Vllaznia ka barazuar me rezultatin 1-1 ndaj ekipit malazez Deçiq në ndeshjen e parë miqësore në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri. Takimi u zhvillua në stadiumin “Loro Boriçi”, ku të dyja skuadrat po përgatiten për sfidat e tyre në kupat europiane.
Kuqeblutë kaluan të parët në avantazh në fillimin e pjesës së parë falë golit të Gerald Kubazit, i cili dërgoi topin në rrjetë dhe i dha epërsinë skuadrës së drejtuar nga Martini. Megjithatë, Deçiq reagoi në pjesën e dytë, duke gjetur golin e barazimit dhe duke vulosur shifrat përfundimtare 1-1.
Trajneri i Vllaznisë e shfrytëzoi këtë test për të provuar disa lojtarë të rinj, teksa në fushë munguan jo pak, por 11 futbollistë që ishin pjesë e skuadrës në edicionin e kaluar. Bëhet fjalë për Gjinin, Bismarkun, Dodajn, Bajramin, Salën, Jagon, Hakajn, Malën, Krymin, Kallakun dhe Kastratin.
Pavarësisht mungesave, ky takim i dha stafit teknik mundësinë për të parë nga afër gjendjen e grupit dhe alternativat në prag të sezonit të ri.
Për Vllazninë, vëmendja tashmë është përqendruar te Europa, ku në turin e parë të “Conference League” do të përballet me Malishevën në euroderbin shqiptar. Ndërkohë, edhe Deçiq vijon përgatitjet për angazhimet e veta ndërkombëtare.
