Në kuadër të përgatitjeve për sezonin turistik 2026, në Velipojë u zhvillua takimi koordinues i Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit, me pjesëmarrjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia, dhe zëvendësministres së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Marinela Prifti.
Në hapje të takimit, prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda, vuri theksin te rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e një sezoni turistik të sigurt, të organizuar dhe me standarde të larta shërbimi për qytetarët dhe vizitorët.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e institucioneve trajtuan një sërë çështjesh që lidhen me mbarëvajtjen e sezonit veror, duke përfshirë rritjen e sigurisë në plazhe dhe hapësira publike, menaxhimin e trafikut dhe parkimeve, administrimin e mbetjeve urbane, sigurinë ushqimore, mbrojtjen e mjedisit si dhe monitorimin e aktiviteteve në zonat turistike.
Zëvendësministrat Xhemal Qefalia dhe Marinela Prifti theksuan se bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve qendrore dhe vendore mbetet kyç për garantimin e një sezoni turistik të suksesshëm dhe për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për pushuesit vendas dhe të huaj.
Pjesëmarrësit në takim vlerësuan se rritja e vazhdueshme e numrit të vizitorëve në Qarkun e Shkodrës përbën një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës, por njëkohësisht kërkon angazhim më të madh nga institucionet përgjegjëse.
Nga ana e tij, nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, deklaroi se bashkia ka marrë të gjitha masat e nevojshme për sezonin turistik, duke garantuar funksionimin normal të hapësirave publike dhe të plazheve të administruara nga pushteti vendor sipas standardeve të kërkuara.
Takimi u mbyll me dakordësinë e të gjitha institucioneve për të vijuar koordinimin dhe monitorimin e situatës gjatë gjithë sezonit veror, me synimin për ta promovuar Shkodrën si një destinacion turistik të sigurt, mikpritës dhe të qëndrueshëm.
