Muzika, poezia dhe kujtesa historike u bashkuan në një mbrëmje të veçantë pranë Ishullit të të Pushkatuarve, afër Varrezave të Rrmajit, ku u zhvillua për herë të parë në Shkodër koncerti memorial “Tingujt e Kujtesës 2026”.

Aktiviteti, që shënoi edicionin e pestë të këtij projekti përkujtimor, iu kushtua viktimave të komunizmit dhe artistëve që u persekutuan gjatë regjimit komunist. I organizuar në një vend me simbolikë të fortë historike, aty ku u pushkatuan shumë intelektualë dhe kundërshtarë politikë të diktaturës, koncerti solli një mesazh reflektimi për të kaluarën dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive.

Nën moton “Muzika është si e vërteta, të bën të lirë”, publiku ndoqi interpretime të poezive dhe veprave muzikore të autorëve të njohur shkodranë si Gac Çuni, Arshi Pipa, Lazër Shantoja, Zef Çoba, Pjerin Ashiku, Alfred Çapaliku dhe Prenkë Jakova.

Pjesë e koncertit ishin sopranoja Klodiana Brahimi, baritoni Armando Likaj, aktori Simon Shkreli, këngëtarët Leonard Guga dhe Orjeta Kelaj, si dhe artistë të Teatrit të Operës dhe Baletit. Veprat u orkestruan nga muzikanti Roland Guli, drejtues artistik i koncertit, ndërsa moderimin e mbrëmjes e bëri Blendi Salaj. Në aktivitet mori pjesë edhe kuarteti i harqeve i shkollës artistike “Prenkë Jakova”, nën drejtimin e violinistit Anton Kaftalli.

Skenaristja e aktivitetit, Luljeta Progni, u shpreh se përmes këtij koncerti përkujtohen shpirtrat e atyre që vuajtën dhe u dënuan nga regjimi komunist, shumë prej të cilëve prehen vetëm pak metra larg vendit ku u zhvillua aktiviteti.

Ndërkohë, moderatori dhe një nga ideatorët e projektit, Blendi Salaj, theksoi se kujtesa historike duhet të ruhet dhe të transmetohet te brezat e rinj. Sipas tij, këngët dhe poezitë e krijuara nga artistët shkodranë janë dëshmi të gjalla të dhimbjes, rezistencës dhe aspiratës për liri.

Një nga elementët më domethënës të mbrëmjes ishte shpërndarja e fletushkave përkujtimore me 112 profile të viktimave të komunizmit nga Shkodra. Përmes këtyre materialeve, të pranishmit patën mundësinë të njiheshin me historitë dhe fatet e njerëzve që u përballën me burgosje, internime, persekutim dhe ekzekutime gjatë diktaturës. Nisma synoi të afrojë publikun, veçanërisht të rinjtë, me historinë e qytetit dhe me kujtesën e atyre që u sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin njerëzor.

Sopranoja Klodiana Brahimi dhe baritoni Armando Likaj e cilësuan koncertin si një nga aktivitetet më emocionale ku kanë marrë pjesë, ndërsa vlerësuan punën e Roland Gulit në përgatitjen artistike të programit.

“Tingujt e Kujtesës 2026” u organizua nga Kujto.al në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer dhe Bashkinë Shkodër, në kuadër të projektit “BRIDGES – Building Resilience, Inspiring Democratic Generations”, me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Përmes muzikës, poezisë dhe dëshmive historike, koncerti u shndërrua në një homazh të veçantë për viktimat e komunizmit, duke përcjellë mesazhin se kujtesa mbetet një nga garancitë më të forta për lirinë dhe demokracinë.