Nga Qamil Gjyrezi
Koncerti “Ringjallja” – 8 prill 1996
Pjesëmarrës:
- Tonin Guraziu – Piano
- Elizabeta Qursaqi – Violinë
- Leonard Plumbini – Violonçel
- Qamil Gjyrezi – Trombë
- Kuarteti “Martin Gjoka”
Mbrëmë u zhvillua koncerti memorial “Tingujt e Kujtesës 2026”, ku u interpretua një pjesë për vokal dhe piano e pianistit Tonin Guraziu, nga sopranoja Klodiana Brahimi, e shoqëruar nga kuinteti nën drejtimin e violinistit të njohur Anton Kaftalli.
Duhet theksuar se profesor Tonin Guraziu, përpara viteve ’90, ka krijuar dhe drejtuar katedra të rëndësishme për instrumentin e pianos dhe ka punuar si koncertmaestër për këngëtarët në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Ai nuk kishte studiuar për kompozicion, por megjithatë ka shkruar muzikë vokale dhe instrumentale.
Në vitin 1996, me disa miq muzikantë dhe me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, organizuam në Qendrën e Kulturës një koncert në nder të pianistit Tonin Guraziu, ku ai interpretoi disa pjesë pianistike.
Tonin Guraziu ishte themeluesi i katedrës së pianos pranë Liceut Artistik në Tiranë dhe themeluesi i katedrës së pianos pranë Institutit të Lartë të Arteve. Ai ishte gjithashtu koncertmaestër i vënieve të para në skenë të veprave operistike në Shqipëri.
Tonin Guraziu (1908–1999), i lindur në Shkodër në një familje tregtarësh, u vendos me familjen në Itali në vitin 1912, ku kreu arsimin fillor dhe të mesëm.
I mrekulluar nga arti italian dhe nga koncertet pianistike që ndiqte së bashku me familjen e tij, Tonini dha që herët shenjat e talentit, duke u lidhur përjetësisht me muzikën. Pas diplomimit në Akademinë Mbretërore Filarmonike të Bolonjës, ku u vlerësua me notën maksimale 30/30, në vitin 1931 ai u kthye në Shqipëri. Këtu nisi një seri koncertesh që shënuan fillimin e veprimtarisë së brezit të parë të artistëve profesionistë shqiptarë.
Disa nga kontributet historike të Tonin Guraziut:
• Pianisti i parë shqiptar i diplomuar në një akademi filarmonike evropiane (La Regia Accademia Filarmonica di Bologna, 29 mars 1931).
• Së bashku me sopranon Marije Paluca Kraja, ishte nismëtar i koncerteve të para me muzikë klasike në historinë e muzikës shqiptare (Kino “Rozafa”, Shkodër, mars 1936).
• Koncertmaestër i vënieve të para në skenë të veprave operistike në Shqipëri.
• Pianisti i parë shqiptar që, në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të Filarmonisë së Tiranës, interpretoi koncertin për piano dhe orkestër të Edvard Grieg në Teatrin Popullor të Tiranës në vitin 1954.
• Themelues i katedrës së pianos pranë Liceut Artistik në Tiranë.
• Themelues i katedrës së pianos pranë Institutit të Lartë të Arteve.
Ndërrimi i sistemeve politike e gjeti pianistin e parë shqiptar, Tonin Guraziun, në moshën 82-vjeçare. Megjithatë, skena mbeti mbretëria e tij.
Ai sfidoi vitet e shumta që mbante mbi supe dhe, në moshën 88-vjeçare, u ngjit në skenën e qytetit të tij të lindjes për të dhënë një koncert të organizuar në përkujtim të 60-vjetorit të koncertit të parë me muzikë klasike në historinë e muzikës shqiptare, mbajtur në Shkodër në mars të vitit 1936.
Dy vjet më vonë, në prill të vitit 1998, në moshën 90-vjeçare, ai interpretoi me sukses koncertin e tij të fundit në skenën prestigjioze të Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë.
Ashtu, i mbështetur pas pianos, u fiksuan në celuloid momente të papërsëritshme, të cilat sot përbëjnë një pjesë të çmuar të historisë së muzikës shqiptare.
