Policia Bashkiake e Shkodrës ka nisur një fushatë sensibilizimi dhe këshillimi në terren për të parandaluar qarkullimin e motorëve në korsitë e biçikletave, si dhe lëvizjen e biçikletave dhe motorëve në zonën pedonale të qytetit.

Lajmi është bërë i ditur përmes rrjeteve sociale nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili thekson se këto sjellje krijojnë pasiguri dhe rrezik për qytetarët, veçanërisht në oraret kur hapësirat publike frekuentohen më shumë nga familjet, fëmijët dhe të moshuarit.

Sipas Becit, qëllimi i kësaj nisme është rritja e ndërgjegjësimit qytetar dhe respektimi i funksionit të çdo hapësire publike, në mënyrë që të shmangen incidentet dhe të garantohet siguria e këmbësorëve.

“Pedonalja është vendi ku fëmijët duhet të ecin të sigurt, familjet të shëtisin të qeta dhe qytetarët të gëzojnë hapësirën publike pa frikë”, shprehet ai, duke bërë thirrje për më shumë kujdes dhe përgjegjësi nga të gjithë përdoruesit e rrugës.

Autoritetet vendore apeluan që korsitë e biçikletave dhe zonat pedonale të respektohen sipas funksionit të tyre, me synimin që Shkodra të jetë një qytet më i sigurt dhe më mikpritës për banorët dhe vizitorët.