Një mbrëmje e mbushur me emocion, virtuozitet dhe interpretim artistik të nivelit të lartë u zhvillua në hollin e Teatrit “Migjeni”, ku violinisti i ri shkodran Duliem Puka mbajti koncertin e tij të parë recital përpara publikut.
Nën drejtimin artistik të Prof. Asc. Ramazan Peku, koncerti solli një program të pasur me vepra të kompozitorëve të njohur botërorë si Antonio Vivaldi, Franz Schubert, Antonín Dvořák, Isaac Albéniz, John Williams dhe P. I. Tchaikovsky. Në këtë mbrëmje artistike morën pjesë edhe Synjona Paplekaj në rolin e koncertmaestres, si dhe këngëtarja dhe violinistja e ftuar Ingrid Havalja.
Interpretimet e Duliem Pukës u pritën me duartrokitje nga spektatorët shkodranë, të cilët ndoqën me interes çdo pjesë të programit, duke krijuar një atmosferë të veçantë artistike në ambientet e teatrit.

Pas përfundimit të koncertit, violinisti falënderoi Teatrin “Migjeni”, publikun e pranishëm dhe të gjithë ata që kontribuan në realizimin e recitalit, duke veçuar Prof. Asc. Ramazan Pekun për mbështetjen dhe udhëheqjen artistike në këtë moment të rëndësishëm të karrierës së tij.
Nga ana tjetër, Prof. Asc. Ramazan Peku u shpreh se prej një semestri po ndjek nga afër studimet dhe zhvillimin artistik të Duliem Pukës dhe Ingrid Havaljës, duke theksuar se ideja për organizimin e këtij koncerti lindi nga dëshira dhe përkushtimi i dy artistëve të rinj shkodranë për t’u prezantuar para publikut me një program recital.
Koncerti u shndërrua në një festë të muzikës klasike, duke dëshmuar talentin dhe potencialin e brezit të ri të artistëve shkodranë, si dhe rëndësinë e mbështetjes së tyre në rrugëtimin profesional.
