Dhjetëra të rinj dhe vullnetarë iu bashkuan nismës “Youth for Theth”, duke kontribuar në pastrimin dhe mbrojtjen e një prej destinacioneve më të veçanta turistike të veriut të vendit, Thethit.
Aktiviteti u organizua nga Bashkia Shkodër, KVR Shkodër, ACT4 Shkodra, Qendra Rinore Atelie dhe Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër, me synimin për të promovuar ndërgjegjësimin mjedisor dhe angazhimin qytetar në ruajtjen e natyrës.
Në kuadër të kësaj nisme, pjesëmarrësit pastruan zona të ndryshme të Thethit, duke dhënë një mesazh të qartë mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe përgjegjësinë që secili ka ndaj pasurive natyrore.
Nën moton “Natyra na dhuron, ne kujdesemi”, të rinjtë u angazhuan aktivisht në këtë aksion vullnetar, duke treguar se kujdesi për mjedisin nis nga veprimet konkrete dhe bashkëpunimi në komunitet.
Organizatorët vlerësuan pjesëmarrjen e të rinjve dhe vullnetarëve, duke theksuar se nisma të tilla jo vetëm ndihmojnë në ruajtjen e natyrës, por shërbejnë edhe për të forcuar kulturën e përgjegjësisë qytetare dhe respektin ndaj mjedisit.
Thethi mbetet një nga destinacionet më të vizituara të Alpeve Shqiptare, ndaj ruajtja e pastërtisë dhe mbrojtja e vlerave natyrore konsiderohen thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në këtë zonë.
