Vllaznia vijon të shkruajë historinë në atletikën shqiptare. Ekipi shkodran është shpallur kampion i Shqipërisë për meshkuj edhe për vitin 2026, duke ngritur trofeun e 30-të në historinë e klubit dhe të 18-in radhazi.
Në Kampionatin Kombëtar të 88-të për të rritur, atletët kuqeblu dominuan garat dhe e mbyllën renditjen ekipore me 167 pikë, duke lënë pas Skënderbeun dhe Teutën.
Mes rezultateve më të spikatura ishte paraqitja e Franko Burrajt në garën e 200 metrave, ku u shpall kampion kombëtar me kohën 21”13, shumë pranë rekordit kombëtar. Tituj kampionë fituan gjithashtu Durjan Idrizaj në 400 metra me pengesa, Sidrit Kopliku në 1500 metra dhe Kolindo Kiri në kërcimin trehapësh.
Në të njëjtën disiplinë, Mario Cepi u rendit i dyti, ndërsa Elizeo Spathari i treti. Ndërkohë, Erisa Rrasa siguroi vendin e dytë në garën e femrave në kërcimin trehapësh.
Klubi i Atletikës Vllaznia falënderoi Bashkinë Shkodër, Zyrën e Sportit dhe Federatën Shqiptare të Atletikës për mbështetjen e dhënë, ndërsa ky sukses konfirmon edhe një herë traditën dhe dominimin e kuqebluve në atletikën shqiptare.
