Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Tonin Gjuraj, ka paraqitur dorëheqjen e tij të parevokueshme pranë Ministrisë së Arsimit, duke argumentuar se autonomia universitare po cenohet nga vendimmarrjet dhe ndërhyrjet e Bordit të Administrimit.

Në letrën drejtuar ministres së Arsimit, Gjuraj shprehet se mandati i tij buron nga komuniteti universitar dhe se misioni i tij ka qenë transformimi i universitetit mbi parimet e transparencës, përgjegjshmërisë dhe pavarësisë institucionale. Ai kundërshton disa vendime të Bordit të Administrimit, të cilat i konsideron të paligjshme dhe në kundërshtim me interesin e universitetit.

Sipas tij, përplasjet e vazhdueshme me Bordin dhe ndërhyrjet në funksionimin e institucionit e kanë bërë të pamundur vijimin e detyrës, ndaj ka vendosur t’i rikthehet jetës akademike si profesor.

Në përfundim të letrës, Gjuraj kërkon nga Ministria e Arsimit të garantojë funksionimin normal të universitetit pas largimit të tij dhe falënderon stafin akademik, studentët dhe qytetarët e Shkodrës për mbështetjen gjatë mandatit të tij.