Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, inspektoi ecurinë e punimeve për rikonstruksionin e plotë të kopshtit “Bep Tusha”, një investim që synon përmirësimin e kushteve për fëmijët dhe komunitetin e zonës.
Projekti parashikon rikonstruksionin e plotë të godinës së kopshtit, si dhe sistemimin e hapësirës përpara tij, duke krijuar ambiente më moderne, të sigurta dhe funksionale. Investimi do t’u shërbejë rreth 150 fëmijëve dhe do të ofrojë kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve edukative.
Gjatë inspektimit, kryebashkiaku Beci theksoi se punimet po ecin me ritme të larta dhe se objektivi është që kopshti të jetë gati për të pritur fëmijët në muajin shtator.
Rikonstruksioni i kopshtit “Bep Tusha” është pjesë e programit të investimeve të Bashkisë Shkodër në infrastrukturën arsimore, me fokus krijimin e ambienteve sa më cilësore për edukimin e brezave të rinj.
Paralelisht me këtë projekt, në qytet ka përfunduar edhe rikonstruksioni i plotë i kopshtit “1 Qershori”, ndërsa së shpejti pritet të nisë puna edhe për rikonstruksionin e kopshtit “Tom Alimhilli”, duke vijuar kështu investimet në shërbim të fëmijëve dhe familjeve shkodrane.
