Bashkia Shkodër ka shpallur thirrjen e hapur për pjesëmarrje në edicionin e XI të Festivalit të Këngës “Luleborë”, një nga aktivitetet më të rëndësishme muzikore në qytet, që synon promovimin e krijimtarisë së re artistike dhe pasurimin e repertorit të këngës shqiptare.
Sipas njoftimit, festivali synon të afrojë dhe aktivizojë brezat e rinj në muzikë, të nxisë krijimtarinë muzikore e letrare, si dhe të sjellë një dimension bashkëkohor të këngës përmes ndërthurjes së elementëve tradicionalë me prurjet moderne artistike. Organizatorët theksojnë se interpretimi i të gjitha këngëve do të realizohet “live”, me një formacion orkestral të krijuar posaçërisht për festivalin.
Ftesa u drejtohet si krijuesve të rinj ashtu edhe autorëve të afirmuar. Materialet muzikore mund të dorëzohen pranë Bashkisë Shkodër ose në adresën elektronike zyrtare të Drejtorisë së Kulturës. Këngët duhet të jenë krijime tërësisht të reja dhe të papublikuara më parë, ndërsa autorët duhet të paraqesin edhe partiturën, tekstin dhe interpretuesin e përcaktuar të veprës.
Organizatorët bëjnë të ditur se janë të mirëpritura këngët me gjuhë muzikore bashkëkohore, si dhe krijimet që mbështeten në tingëllimet dhe ngjyrat e muzikës tradicionale shqiptare. Në festival mund të marrin pjesë edhe duete, trio apo formacione muzikore.
Afati i fundit për dorëzimin e materialeve muzikore është data 20 gusht, ndërsa lista e këngëve fituese që do të përzgjidhen për festivalin do të shpallet deri më 7 shtator. Provat me orkestrën dhe artistët pjesëmarrës do të nisin nga data 20 shtator.
