Artisti i njohur shkodran Sidrit Bejleri ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor me titull “Ta Hangsha Zemrën”, një këngë që sjell humor, dashuri dhe frymën e traditës popullore shkodrane.
Titulli i këngës është marrë nga shprehja e njohur shkodrane “Ta hangsha zemrën”, e përdorur shpesh si shenjë dashurie, përkëdhelie dhe afeksioni në komunikimin e përditshëm. Përmes këtij projekti, Bejleri risjell në vëmendje një pjesë të identitetit gjuhësor dhe kulturor të Shkodrës.
Një element i veçantë i videoklipit është pjesëmarrja e dy ikonave të humorit shqiptar, Zyliha Miloti dhe Besnik Çinari, të cilët i japin projektit nota humori dhe nostalgjie, duke e bërë atë edhe më tërheqës për publikun.
Vetë këngëtari e ka prezantuar këngën si një projekt të realizuar “me pak humor e shumë dashni”, duke shprehur bindjen se ajo do të gjejë vend në arkivin muzikor të shumë dëgjuesve. Kënga është publikuar së bashku me videoklipin në kanalin e tij zyrtar.
Muzika dhe orkestrimi mbajnë firmën e Edi Balilit, ndërsa teksti është shkruar nga Sidrit Bejleri, Edi Balili dhe Armand Trebicka. Miximi dhe masterizimi janë realizuar nga Endri Kasmi dhe Edi Balili, ndërsa videoklipi është prodhuar nga AR Visual.
Me ritme të lehta, humor të këndshëm dhe praninë e figurave të dashura të skenës shqiptare, “Ta Hangsha Zemrën” synon të jetë një nga këngët që do të shoqërojë publikun gjatë sezonit veror.
