Lidhja Shqiptare e Prizrenit konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme politike e shqiptarëve në shekullin XIX dhe pikënisja e organizimit kombëtar për mbrojtjen e trojeve dhe identitetit shqiptar.
E themeluar më 10 qershor 1878 në Prizren, Lidhja lindi në një periudhë kur trojet shqiptare rrezikonin të copëtoheshin si pasojë e vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit dhe diskutimeve të Kongresit të Berlinit.
Punimet e kuvendit u drejtuan nga Iljaz Pashë Dibra, ndërsa programi politik u hartua nga figura të njohura të Rilindjes Kombëtare si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri dhe Jani Vreto.
Lidhja kishte si objektiva mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi, bashkimin e tyre në një vilajet të vetëm dhe afirmimin e shqiptarëve si komb më vete në arenën ndërkombëtare. Nga kjo organizatë doli një Komitet Kombëtar që mori atributet e një qeverie të përkohshme dhe organizoi veprimtarinë politike, diplomatike dhe ushtarake në mbrojtje të interesave kombëtare.
Një rol të rëndësishëm luajti qëndresa në veri të trojeve shqiptare, ku forcat e drejtuara nga Ali Pashë Gucia dhe Hodo Beg Sokoli mbrojtën Plavën, Gucinë, Hotin dhe Grudën nga pretendimet e shteteve fqinje.
Megjithëse veprimtaria e saj u ndërpre në vitin 1881, Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet simbol i unitetit kombëtar dhe një prej gurëve themelorë të rrugëtimit të shqiptarëve drejt lirisë, vetëvendosjes dhe shtetformimit.
