Bashkia Shkodër po vijon punën për mirëmbajtjen e infrastrukturës bujqësore në njësinë administrative Velipojë. Ndërhyrja më e fundit është realizuar në fshatin Reç, ku ekipet në terren kanë kryer pastrimin e rrjetit kullues për të garantuar funksionimin normal të tokave bujqësore dhe për të shmangur problematikat që mund të shkaktohen nga bllokimi i kanaleve.

Sipas përgjegjësit të Ndërmarrjes së Shërbimeve dhe Punëve Publike, Muhamet Muça, këto ndërhyrje janë të rëndësishme për mbështetjen e fermerëve dhe ruajtjen e produktivitetit të tokave bujqësore.

Në kuadër të kësaj ndërhyrjeje janë pastruar rreth 1.8 kilometra kanale kulluese, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e punës për qindra fermerë dhe duke rritur sigurinë e prodhimeve bujqësore në zonë.

Autoritetet vendore bëjnë të ditur se puna do të vijojë në të gjithë territorin e Velipojës deri në pastrimin e plotë të rrjetit kullues, me synimin për të krijuar kushte më të mira për zhvillimin e bujqësisë dhe për të mbështetur aktivitetin e fermerëve lokalë.