Nga viti i ardhshëm shkollor, temat që lidhen me diktaturën komuniste dhe kujtesën historike do të përfshihen më gjerësisht në tekstet e arsimit parauniversitar. Kjo vjen pas kërkesave të vazhdueshme të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i cili ka evidentuar mangësi në trajtimin e kësaj periudhe në kurrikulat shkollore.

Përgjegjësja e projekteve studimore pranë institucionit, Brunilda Çërraga, thotë se pas analizës së kurrikulave është konstatuar se e kaluara komuniste nuk trajtohet në mënyrë të mjaftueshme. Për këtë arsye, Autoriteti ka insistuar që historitë e lidhura me kujtesën të bëhen pjesë e programeve mësimore.

Procesi do të vijojë gradualisht edhe në klasat e tjera, me synimin që nxënësit të kenë një njohje më të plotë mbi periudhën e komunizmit dhe pasojat e saj në shoqërinë shqiptare.

Përmes kësaj nisme synohet forcimi i kulturës së kujtesës dhe ndërgjegjësimi i brezave të rinj për një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit.