Vllaznia e mbylli sezonin 2025-2026 pa arritur të fitojë as titullin kampion dhe as Kupën e Shqipërisë, duke lënë shije zhgënjimi te tifozët dhe opinioni sportiv. Edhe pse skuadra siguroi pjesëmarrjen në Conference League për sezonin e ardhshëm, gazetarët sportivë shkodranë e konsiderojnë këtë një sezon të dështuar për kuqeblutë.

Gazetari sportiv Gaspër Marku vlerëson se Vllaznia zhvilloi një kampionat pozitiv në pjesën më të madhe të tij, por eliminimi nga Dinamo City në Kupën e Shqipërisë ndikoi negativisht në vazhdimësinë e skuadrës.

Sipas Markut, mungesa e Lirim Kastratit në fazën vendimtare të sezonit rezultoi deçizive për ekipin, ndërsa humbja e mundësisë për të fituar Kupën ndikoi edhe në aspektin psikologjik të futbollistëve.

Edhe gazetari sportiv Maringlen Zhivani e cilëson të dështuar sezonin e Vllaznisë. Ai thekson se një klub me historinë dhe pretendimet e kuqebluve nuk mund të kënaqet vetëm me kualifikimin në kupat e Europës.

Zhivani shton se përveç mungesës së eksperiencës në momentet vendimtare, edhe lodhja fizike e akumuluar gjatë sezonit ndikoi në rezultatet zhgënjyese të javëve të fundit.

Pas mbylljes së kampionatit, drejtuesit e Vllaznisë kanë nisur punën për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm. Objektivi i radhës mbetet një paraqitje dinjitoze në Conference League, ndërsa tifozët presin që skuadra të rikthehet sërish në garën për trofe pas një tjetër sezoni të mbyllur pa kurorëzimin e synimeve madhore.