Shkodra ka nderuar një prej figurave më të mëdha të muzikës shqiptare, tenorin Ibrahim Tukiçi, në 100-vjetorin e lindjes së tij. Në shtëpinë ku artisti erdhi në jetë dhe kaloi vitet e para të fëmijërisë, në lagjen Rus, u inaugurua një pllakë përkujtimore në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin shqiptar.
Në ceremoninë e zhvilluar me pjesëmarrjen e familjarëve, artistëve dhe përfaqësuesve të institucioneve vendore, djali i tij, David Tukiçi, e cilësoi këtë moment si tejet domethënës për familjen dhe kujtesën kulturore të qytetit. Ai u ndal te rëndësia që ka ruajtja e shtëpisë ku lindi tenori i madh dhe vendosja e pllakës që do t’u kujtojë brezave figurën e Ibrahim Tukiçit.
Një tjetër moment emocionues ishte edhe fjala e kompozitorit dhe dirigjentit të njohur Genc Tukiçi, i cili kujtoi këshillat që kishte marrë nga i ati gjatë jetës dhe karrierës së tij artistike. Ai theksoi se trashëgimia më e madhe që Ibrahim Tukiçi la pas nuk ishte vetëm arti i tij, por edhe vlerat njerëzore dhe profesionale që vazhdojnë të frymëzojnë brezat e rinj.
Pas zbulimit të pllakës përkujtimore, zëvendëskryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, vlerësoi figurën e Artistit të Popullit si një nga personalitetet që e kanë bërë Shkodrën krenare në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ndërkohë, kompozitori Zef Çoba shprehu shpresën që kjo nismë të mos mbetet e vetme, por të vijojë edhe për personalitete të tjera të artit shkodran, duke shënuar dhe identifikuar shtëpitë ku kanë lindur e jetuar emra të rëndësishëm të kulturës shqiptare.
Ibrahim Tukiçi (1926–2004), i nderuar me titullin “Artist i Popullit”, ishte një nga tenorët më të shquar shqiptarë. Ai interpretoi me sukses në skenën e Operës dhe Baletit, ndërsa mbeti po aq i dashur për publikun edhe për interpretimet e tij të këngës qytetare shkodrane. Vendosja e pllakës përkujtimore në shtëpinë e lindjes vjen si një akt respekti dhe mirënjohjeje për një artist që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës shqiptare.
