Shfaqja “Offline për një Ditë”, premierë e Teatrit për Fëmijë të Qendrës Kulturore “Kujtim Alija” në Shkodër, është vlerësuar me tre çmime në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit për Fëmijë “1 mbi 1 dritaret”.

Vepra, e interpretuar nga fëmijët e qendrës kulturore, u prit me vlerësime nga juria e përbërë nga emra të njohur të skenës shqiptare si Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani dhe Rajmonda Bulku.

Me tekst të Gjovalin Kolajt dhe regji të Drande Xhaj, “Mjeshtër i Madh”, shfaqja trajton ndikimin e teknologjisë në jetën e fëmijëve, duke përcjellë mesazhe edukative për rëndësinë e komunikimit, lojës dhe marrëdhënieve njerëzore përtej ekraneve.

“Offline për një Ditë” u shpërblye me Çmimin për Tematikën më të Mirë, Çmimin Special “Onufri” dhe Çmimin për Regjinë më të Mirë.

Ky sukses konsiderohet një dëshmi e talentit dhe përkushtimit të fëmijëve të Qendrës Kulturore “Kujtim Alija”, si dhe e punës së ekipit artistik që solli në skenë një vepër me vlera të rëndësishme edukative dhe shoqërore.