KF Vllaznia ka njoftuar zyrtarisht mbylljen e bashkëpunimit me dy futbollistët Andrey Yago dhe Alexandros Kouros. Klubi kuqeblu ka vendosur të mos vijojë me dy lojtarët për sezonin e ardhshëm, duke i falënderuar për kontributin e dhënë gjatë kohës që mbajtën veshur fanellën e Vllaznisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, drejtuesit e klubit kanë shprehur mirënjohjen për profesionalizmin dhe angazhimin e treguar nga të dy futbollistët, ndërsa u kanë uruar suksese në vazhdim të karrierës së tyre.

Largimi i Yagos dhe Kouros vjen në një periudhë kur Vllaznia po punon për ndërtimin e skuadrës së re. Deri tani klubi ka konfirmuar rinovimet me trajnerin Edi Martini, drejtorin sportiv Vioresin Sinani dhe disa prej lojtarëve kryesorë të grupit, ndërsa njëkohësisht ka nisur edhe procesin e ndryshimeve në përbërjen e ekipit për sezonin e ardhshëm dhe ndeshjet europiane.