Vllaznia po vazhdon të ndërtojë skuadrën për sezonin e ri duke ruajtur një pjesë të rëndësishme të grupit që mbajti ekipin në garën për titull gjatë sezonit të kaluar. Klubi kuqeblu ka bërë të ditur se Edon Murataj, Jasmin Çelikoviç dhe Klinti Qato do të jenë pjesë e ekipit edhe për sezonin 2026-2027, pasi palët kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit.
Edon Murataj do të vazhdojë rrugëtimin e tij me fanellën kuqeblu edhe për një vit tjetër. Mesfushori 23-vjeçar është aktivizuar në 37 takime sezonin e kaluar dhe ka shënuar 2 gola me fanellën e Vllaznisë.
Pjesë e kuqebluve do të mbetet edhe mbrojtësi Jasmin Çelikoviç. Futbollisti boshnjak ka qenë një nga shtyllat e repartit difensiv dhe rinovimi i kontratës së tij shihet si një lëvizje e rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit në mbrojtje.
Ndërkohë, edhe Klinti Qato do të vazhdojë të jetë pjesë e projektit kuqeblu. Mesfushori 28-vjeçar, i cili u bë protagonist në momente të rëndësishme të sezonit të kaluar, do të mbetet një nga alternativat kryesore të ekipit edhe në edicionin e ardhshëm.
Deri tani, Vllaznia ka konfirmuar vazhdimësinë me trajnerin Edi Martini dhe drejtorin sportiv Vioresin Sinani deri në vitin 2028 si dhe me futbollistët Sherif Kallaku, Lirim Kastrati, Leon Pohls, Edon Murataj, Jasmin Çelikoviç dhe Klinti Qato. Në këtë mënyrë, drejtuesit kuqeblu po hedhin bazat e skuadrës që do të përfaqësojë klubin në sfidat e UEFA Conference League dhe në kampionatin e ri, ndërsa priten edhe lëvizje të tjera në merkaton e verës.
