Në kuadër të Javës së Kulturës Italiane, Instituti Italian i Kulturës do të sjellë për publikun shqiptar shfaqjen teatrale “Vizita”, me regji nga Davide Iodice, fitues i Çmimit Ubu 2024. Shfaqja do të ngjitet në skenën e Teatrit Antik të Butrintit6 qershor 2026, në orën 21:00, me hyrje të lirë për publikun.

E frymëzuar nga vepra “Vizita e Mrekullueshme” e H.G. Wells, drama rrëfen historinë e një engjëlli që zbret në tokë dhe përballet me paragjykimet, frikën dhe mospranimin e njerëzve. Një histori që trajton të ndryshmen, dashurinë dhe humanizmin, përmes një gjuhe artistike të veçantë.

Një nga protagonistet e shfaqjes, aktorja Rita Gjeka, e cilëson të veçantë rikthimin e “Vizitës” në një hapësirë si Teatri Antik i Butrintit.

Gjeka bën të ditur se kësaj here kastit i bashkohet edhe një emër i ri, aktori Tristan Halilaj, duke i dhënë një tjetër energji shfaqjes.

Aktorja thekson se një nga arsyet kryesore të suksesit të “Vizitës” ka qenë sinqeriteti me të cilin është ndërtuar dhe interpretuar vepra, çka sipas saj është reflektuar edhe në pritjen pozitive që publiku i ka bërë kudo ku është shfaqur.

“Vizita” konsiderohet një nga prodhimet më të suksesshme të teatrit shqiptar në vitet e fundit. Premiera e saj u dha në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës më 27 tetor 2023 dhe më pas ka fituar çmime të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, mes tyre çmimet për Shfaqjen, Muzikën dhe Skenografinë më të Mirë në Festivalin e Teatrit Shqiptar “Moisiu”, si dhe Çmimin e Shtypit “Oslobodenje” në Festivalin e Sarajevës.

Rita Gjeka shpreh gjithashtu dëshirën që “Vizita” të rikthehet sërish në Shkodër, duke u dhënë mundësinë spektatorëve shkodranë ta përjetojnë edhe një herë këtë vepër që ka lënë gjurmë në skenën teatrore shqiptare.