Parku i Shatërvanit në Shkodër u kthye në një galeri të hapur arti, ku rreth 15 fëmijë të moshave 5 deri në 13 vjeç ekspozuan krijimet e tyre, duke i dhënë ngjyra, gjallëri dhe një frymë të veçantë instalacionit artistik në këtë hapësirë publike.

Pikturat e vendosura mes strukturave të parkut nën emërtimin “Jo vetëm 1 qershor” krijuan një atmosferë festive, ndërsa fëmijët, të shoqëruar nga prindërit e tyre, patën mundësinë të prezantonin talentin dhe imagjinatën përmes artit pamor. Aktiviteti u organizua nën kurimin e artistes Teuta Lagja, e cila theksoi se mesazhi kryesor i ekspozitës ishte paqja që fëmijët përcjellin përmes krijimeve të tyre.

Pjesëmarrësit e vegjël u shprehën të lumtur që patën mundësinë të shfaqnin punimet artistike në një ekspozitë të hapur për publikun, duke e konsideruar këtë një eksperiencë të veçantë dhe motivuese për të vazhduar rrugëtimin në art.

Ekspozita solli atmosferë të ngrohtë dhe plot gjallëri në Parkun e Shatërvanit, ku arti, kreativiteti dhe energjia e fëmijëve u ndërthurën me praninë e familjarëve dhe qytetarëve, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të bukur të imagjinatës dhe paqes.