Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka pritur në një takim artistin e njohur shkodran Eduard Jubani, të cilit i ka dorëzuar një pllakatë mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar në jetën artistike dhe kulturore të qytetit.
Në një postim në rrjetet sociale, Beci e cilësoi Jubanin si një emër që me talentin dhe zërin e tij është bërë pjesë e identitetit artistik të Shkodrës dhe më gjerë. Ai shprehu falënderimin për emocionet që artisti i ka dhuruar publikut ndër vite, duke vlerësuar rolin e tij në pasurimin e trashëgimisë kulturore të qytetit.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore, ku u ndanë kujtime dhe vlerësime për rrugëtimin artistik të Eduard Jubanit, një prej figurave të njohura të skenës shkodrane. Mirënjohja e akorduar nga Bashkia Shkodër vjen si një vlerësim për kontributin e tij të vazhdueshëm në art dhe kulturë.
