Emocione, lot gëzimi dhe duartrokitje shoqëruan natën finale të edicionit të 64-t të Festivalit Kombëtar të Këngës për Fëmijë në Teatrin “Migjeni”.

Eslin Kurti me këngën “Kërce me mua” fitoi çmimin e parë në kategorinë Junior (9-14 vjeç), duke siguruar edhe të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në “Junior Eurovision Song Contest 2026”. Kënga fituese është kompozuar nga Rei Bezhani, me tekst të Eriona Rushitit dhe aranzhim orkestral të Enis Mullajt.

Ndërkohë, në kategorinë e të vegjëlve triumfoi Ajri Drishti me këngën “Nuk kam ku luj”. Pas ndarjes së çmimeve, dy fitueset ndanë emocionet e para për këtë sukses dhe për eksperiencën në skenën e festivalit.

Producentja ekzekutive e festivalit, Manjola Lloja, u shpreh se përzgjedhja e këngës fituese për “Junior Eurovision” i ka dhënë festivalit edhe më shumë rëndësi dhe vlera artistike.

Drejtuesja artistike Orjeta Kelaj pati fjalë vlerësuese për korin e festivalit dhe punën e realizuar gjatë këtij edicioni.

Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë u zhvillua për tre netë me radhë në Shkodër, duke sjellë në skenë 31 krijime të reja dhe duke kthyer qytetin në qendrën e muzikës për fëmijë në Shqipëri. 

Rezultatet e kategorisë Junior (9-14 vjeç):

1. Eslin Kurti – “Kërce me mua” (Fitues, përfaqësues në Eurovision Junior 2026)

2. Aria Kolaveri – “Dua ta marr globin në krahë”

3. Laura Spahiu – “Nëse beson”

Rezultatet e kategorisë Të Vegjlit (nën 8 vjeç):

1. Ajri Drishti – “Nuk kam ku luj”

2. Maria Kalaja – “Çika-çika, Çikalore”

3. Klea Shkreli – “Kush e shkroi”