KF Vllaznia ka nisur zyrtarisht ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri, duke konfirmuar vazhdimësinë me disa nga figurat kryesore të klubit. Drejtuesit kuqeblu kanë bërë të ditur se drejtori sportiv Vioresin Sinani do të vazhdojë detyrën deri në vitin 2028, ndërsa futbollistët Sherif Kallaku, Lirim Kastrati dhe portieri Leon Pohls do të jenë pjesë e ekipit edhe për sezonin 2026-2027.

Sinani do të vijojë të jetë një nga drejtuesit kryesorë të projektit sportiv të Vllaznisë, ndërsa Kallaku, Kastrati dhe Pohls konsiderohen elementë të rëndësishëm në planet e skuadrës për kampionatin e ardhshëm dhe pjesëmarrjen në UEFA Europa Conference League. Për Kastratin, klubi ka shprehur edhe urimin për një rikthim sa më të shpejtë në fushën e lojës pas dëmtimit të rëndë që e mbajti larg futbollit. 

Më herët, klubi shkodran njoftoi në rrjetet sociale se ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me trajnerin Edi Martini edhe për dy sezonet e ardhshme. Lajmi është bërë publik nga vetë klubi kuqeblu përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale. Pas mbylljes së sezonit 2025/26, drejtuesit e Vllaznisë kanë konfirmuar besimin ndaj teknikut shkodran, pavarësisht zhgënjimit në “Final 4”, ku skuadra humbi të tre ndeshjet dhe e mbylli kampionatin në vendin e tretë.