KF Vllaznia ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me trajnerin Edi Martini edhe për dy sezonet e ardhshme. Lajmi është bërë publik nga vetë klubi kuqeblu përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale.

Pas mbylljes së sezonit 2025/26, drejtuesit e Vllaznisë kanë konfirmuar besimin ndaj teknikut shkodran, pavarësisht zhgënjimit në “Final Four”, ku skuadra humbi të tre ndeshjet dhe e mbylli kampionatin në vendin e tretë.

Në postimin e klubit thuhet se është arritur marrëveshja që Edi Martini të jetë pjesë e “rrugëtimit të përbashkët” deri në vitin 2028. Rinovimi vjen në një moment të rëndësishëm për Vllazninë, që tashmë do të nisë përgatitjet për pjesëmarrjen në turin e parë të UEFA Europa Conference League.

Martini mori drejtimin e skuadrës në nisje të sezonit që sapo u mbyll dhe arriti ta mbajë Vllazninë në garën për titull deri në javët e fundit të kampionatit, ndërsa tani do të ketë mundësinë të ndërtojë ekipin për objektivat e ardhshme europiane dhe kombëtare.