Vllaznia e ka mbyllur në mënyrën më zhgënjyese sezonin 2025/26 në Abissnet Superiore, duke u mundur 2-1 nga KF Elbasani në ndeshjen e fundit të “Final Four”. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini pësoi humbjen e tretë radhazi në fazën finale, duke humbur çdo mundësi për titullin kampion.
Në “Air Albania”, kuqeblutë kaluan të parët në avantazh me kapitenin Bekim Balaj në minutën e 48-të, por reagimi i Elbasanit ishte i menjëhershëm. Lajthia riktheu baraspeshën vetëm tre minuta më vonë, ndërsa Ibrahim Abas realizoi golin e përmbysjes në minutën e 64-t.
Pavarësisht fitores së Elbasanit, titulli kampion shkoi për KF Egnatia, që mposhti FC Dinamo City me rezultatin 2-0 dhe u shpall kampione për të tretin sezon radhazi. Elbasani dhe Egnatia e mbyllën me pikë të barabarta, por rrogozhinasit triumfuan falë golavarazhit më të mirë në përballjet direkte.
Vllaznia konsiderohet humbësja më e madhe e këtij edicioni. Shkodranët e mbyllën sezonin e rregullt në vendin e parë, me gjashtë pikë më shumë se Egnatia, por kolapsi në “Final Four” i kushtoi rëndë ekipit kuqeblu. Megjithatë, Vllaznia ka siguruar pjesëmarrjen në turin e parë të UEFA Europa Conference League, ku do të jetë mes skuadrave favorite në shortin e parë.

