Sheshi para Bashkisë Shkodër u kthye në një hapësirë të mbushur me gëzim, ngjyra dhe energji pozitive në kuadër të aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. Qindra fëmijë iu bashkuan festës së organizuar në qendër të qytetit, duke shijuar lojëra argëtuese, piktura, muzikë, akullore dhe surpriza të shumta që krijuan një atmosferë të veçantë festive.
Të vegjlit u bënë protagonistët e kësaj dite, duke sjellë buzëqeshje dhe gjallëri në zemër të Shkodrës, ndërsa prindër e qytetarë ndoqën nga afër aktivitetet e organizuara për ta.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, u shpreh se fëmijët i dhanë qytetit ngjyrat më të bukura me energjinë dhe ëndrrat e tyre, duke e kthyer sheshin para Bashkisë në zemrën e festës së 1 Qershorit.
Festa e organizuar në qendër të qytetit solli një ditë të mbushur me argëtim, kreativitet dhe emocione për më të vegjlit. Përmes këtij aktiviteti, Bashkia Shkodër përcolli edhe mesazhin se investimi tek fëmijët mbetet investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e qytetit.
