Festivali “Ekrani i Artit” përmbylli një tjetër edicion të tij në Shkodër, duke sjellë për katër ditë me radhë filma, ekspozita dhe takime artistike në disa prej oborreve karakteristike dhe institucioneve kulturore të qytetit. Aktiviteti riktheu atmosferën e kinemave verore dhe krijoi hapësira takimi mes artistëve, kineastëve dhe publikut.

Organizatorët e festivalit e konsideruan pjesëmarrjen e publikut si një nga sukseset më të rëndësishme të këtij edicioni. Drejtoresha artistike Tea Paci u shpreh se interesi dhe prania e qytetarëve në çdo aktivitet tregoi se arti i kinemasë vazhdon të gjejë mbështetje dhe vëmendje në Shkodër.

Një nga hapësirat që u përfshi këtë vit në festival ishte edhe holli i RTSH Shkodra, i cili u kthye në një ambient festiv dhe mikpritës për aktivitetet e “Ekrani i Artit”. Në fjalën e saj, Tea Paci falënderoi RTSH Shkodra për bashkëpunimin dhe mbështetjen ndaj festivalit.

Përgjatë katër ditëve të festivalit u prezantuan filma eksperimentalë, video art, ekspozita dhe diskutime mbi zhvillimin e kinematografisë bashkëkohore, duke e kthyer Shkodrën në një qendër të rëndësishme të artit vizual dhe filmit alternativ.