Nata e dytë e Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë solli sërish atmosferë festive në Shkodër, ku në skenë u prezantuan edhe 15 krijime të reja nga artistët e vegjël. Me interpretime live, ritëm dhe emocione, festivali vijoi të mbledhë publikun para ekranit dhe në sallë në një tjetër mbrëmje artistike të transmetuar në RTSH.

Pjesë e kësaj nate ishte edhe këngëtarja Irma Libohova, një nga zërat më të njohur të festivalit ndër vite, e cila solli emocione të veçanta për publikun me praninë e saj në skenë.

Ky edicion po konsiderohet si një tjetër mundësi për promovimin e talenteve të reja në muzikën për fëmijë. Një prej anëtarëve të jurisë, Josif Gjipali, vlerësoi rëndësinë dhe traditën që mbart ky festival. Emocionet e festivalit i ndau edhe Nikol Çabeli, ish-fituese e këtij aktiviteti dhe tashmë anëtare e jurisë së fëmijëve.

Festivali do të mbyllet më 1 qershor, në natën finale ku do të shpallet edhe kënga fituese që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Junior Eurovision”.