Shkodra është kthyer sërish në kryeqendrën e muzikës për fëmijë me nisjen e edicionit të 64-t të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë. Në natën e parë të festivalit u prezantuan 15 krijime muzikore, të interpretuara live nga artistët e vegjël në një atmosferë plot ritëm, ngjyra dhe emocione.

Mbrëmja artistike, e transmetuar në rrjetin e RTSH, solli në skenë talentet e reja nga qytete të ndryshme të vendit, duke pasuruar edhe këtë vit fondin e muzikës për fëmijë shqiptare. Performancat u duartrokitën nga publiku, ndërsa festivali vijon të mbetet një nga aktivitetet më të rëndësishme artistike për fëmijët në vend.

Dirigjenti i festivalit, Ermir Zoga, u shpreh se përzgjedhja e këngës fituese për të përfaqësuar Shqipërinë në “Junior Eurovision” ka sjellë zhvillime pozitive dhe më shumë interes për këtë festival.

Atmosferës festive iu bashkuan edhe fituesja e edicionit të kaluar, Kroni Pula, si dhe anëtarja e jurisë së fëmijëve, Eden Dani, të cilat ndanë emocionet dhe përjetimet e tyre nga ky aktivitet muzikor.

Festivali do të vijojë me natën e dytë, ku publikut do t’i prezantohen edhe 16 krijime të tjera muzikore, në garën për çmimet e këtij edicioni dhe përfaqësimin në “Junior Eurovision Song Contest”