Atleti shkodran Franko Burraj vazhdon të konfirmojë formën e tij të shkëlqyer në arenën ndërkombëtare, duke sjellë një tjetër sukses të rëndësishëm për atletikën shqiptare. Në “European Challenger Championships” të zhvilluar në Monako, Burraj triumfoi në garën e 400 metrave, ku u rendit në vendin e parë me kohën 46.45 sekonda, rezultat që i siguroi medaljen e artë.
Paraqitja e atletit shkodran vjen si vazhdim i rezultateve pozitive që ai ka regjistruar në garat ndërkombëtare gjatë viteve të fundit, duke u kthyer në një nga sportistët më të spikatur të atletikës shqiptare në disiplinat e sprintit. Në këtë kompeticion ai u shoqërua nga trajneri i tij Bruno Rrotani, i cili konsiderohet një nga kontribuesit kryesorë në përgatitjen dhe sukseset e vazhdueshme të atletit.
Pjesë e ekipit shqiptar në këtë aktivitet sportiv europian ishin edhe atletë të tjerë nga Shkodra, së bashku me trajnerin Dorjan Tafa, duke përfaqësuar Shqipërinë në një nga aktivitetet më të rëndësishme të atletikës.
Pas këtij triumfi ka reaguar edhe kryetari i Bashkia Shkodër, Benet Beci, i cili në një postim në rrjetet sociale e cilësoi fitoren e Franko Burrajt si një moment krenarie për sportin shkodran dhe shqiptar. Ai vlerësoi arritjen e atletit në Monako, duke theksuar se suksesi është fryt i talentit, përkushtimit dhe punës së vazhdueshme.
Në mesazhin e tij, Beci evidentoi edhe traditën sportive të klubit Vllaznia në nxjerrjen e sportistëve elitarë, ndërsa uroi Franko Burrajn, trajnerët dhe gjithë ata që kontribuojnë në sukseset e atletikës shqiptare.
Postimi i Benet Becit në Facebook
🥇🇦🇱 Një tjetër moment krenarie për sportin shkodran dhe shqiptar!
Franko Burraj shkëlqen në arenën ndërkombëtare, duke u renditur i pari në garën e 400 metrave në European Challenger Championships në Monako, me kohën mbresëlënëse 46.45 sekonda.
Ky sukses është fryt i punës, përkushtimit dhe talentit, por edhe dëshmi e traditës së shkëlqyer sportive që Vllaznia vazhdon të kultivojë ndër vite.
👏 Urime Frankos për këtë arritje të jashtëzakonshme që na bën të gjithëve krenarë! Urime trajnerëve, klubit Vllaznia dhe gjithë atyre që kontribuojnë në sukseset e atletëve tanë.
Shkodra dhe Shqipëria krenohen me kampionët e saj! ❤️💙🏆
