Në odeonin e hapur të famullisë “Zoja e Shkodrës” u zhvillua ceremonia zyrtare e hapjes së edicionit të dytë të Panairit të Librit “Libri të ban të lirë”, një aktivitet kulturor që për tri ditë do të mbledhë në Shkodër autorë, studiues, botues dhe lexues.
Në fjalën e tij, Dom Vlash Palaj e cilësoi panairin si një ngjarje që synon të forcojë lidhjen e qytetit me librin dhe kulturën, duke krijuar hapësira takimi mes autorëve dhe publikut.
Studiuesi arbëresh Matteo Mandala u ndal te marrëdhënia historike dhe kulturore mes Shkodrës dhe arbëreshëve, duke theksuar rolin që letërsia dhe gjuha shqipe kanë luajtur në ruajtjen e identitetit kombëtar ndër breza.
Ndërsa shkrimtari Stefan Çapaliku e konsideroi këtë panair si një hapësirë reflektimi dhe diskutimi mbi krizën e librit dhe sfidat që përballet sot leximi në kohën moderne.
Gjatë tre ditëve të panairit do të zhvillohen promovime librash, ligjërata, diskutime, seanca leximesh dhe aktivitete të tjera letrare me pjesëmarrjen e autorëve nga Shqipëria dhe jashtë saj.
Panairi “Libri të ban të lirë” do të kulmojë më 30 maj me ndarjen e çmimeve për fituesit e këtij edicioni.
