Një grup prej 30 avokatësh nga vende të ndryshme të Europës vizituan Shkodrën, duke zhvilluar një tur në disa nga pikat më të njohura turistike dhe historike të qytetit. Vizita u shoqërua me takime dhe biseda profesionale mbi çështje të ligjit, ndonëse në një atmosferë informale dhe miqësore.
Ideatorja e këtij organizimi, Blerta Kraja, e cilësoi këtë aktivitet si një “rikthim të ëmbël” në Shkodër, duke theksuar karakterin turistik dhe promovues të kësaj vizite për qytetin.
Pjesë e turit ishin edhe përfaqësues të njohur të fushës së drejtësisë nga vende të ndryshme europiane.
“Vij nga Sllovenia. Për mua është një rikthim shumë i këndshëm në Shkodër pas shumë vitesh. Duke qenë nga një ish-vend i Republikës Jugosllave kemi dëgjuar për bukuritë e liqenit të Shkodrës, për Nënë Terezën dhe për lashtësinë e këtij qyteti”, shprehet Janez Starman.
“Jam nga Hungaria. Shkodra është një qytet i mrekullueshëm. Kam shijuar diellin dhe motin e kthjellët, natyrën e gjelbër”, thotë Suzana Baros.
Vizita e këtij grupi konsiderohet një tjetër promovim i rëndësishëm për Shkodrën, e cila po tërheq gjithnjë e më shumë interesin e vizitorëve nga vende të ndryshme të Europës.
