Ka nisur transformimi i lulishtes pranë gjimnazit “28 Nëntori” në Shkodër, pas çlirimit të hapësirës publike në këtë zonë të frekuentuar të qytetit. Ndërhyrja synon kthimin e saj në një ambient të gjelbër, funksional dhe më të përshtatshëm për nxënësit dhe komunitetin.

Punimet po realizohen nga Ndërmarrja e Shërbimeve dhe Punëve Publike, ndërsa sipas drejtorit Altin Salihi, projekti parashikon sistemimin e plotë të lulishtes dhe rikualifikimin e gjithë hapësirës përreth gjimnazit.

Ky investim konsiderohet një tjetër hap në rikthimin e hapësirave publike në funksion të qytetarëve, duke i dhënë një pamje të re zonës pranë gjimnazit “28 Nëntori” dhe duke krijuar kushte më të mira për të rinjtë dhe banorët e Shkodrës.