Me kërkesë të Fakultetit Ekonomik dhe me votë unanime të Senatit Akademik, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka miratuar rikthimin e emërtimit të Auditorit A1 në “Atë Pjetër Meshkalla”.
Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të Senatit, ku 20 anëtarë votuan pro rikthimit të emrit të një prej figurave më të rëndësishme të mendimit dhe qëndresës shqiptare. Kërkesa ishte drejtuar nga Fakulteti Ekonomik pranë Rektoratit të universitetit, si një vlerësim për figurën dhe trashëgiminë e Atë Pjetër Meshkallës.
Përmes këtij vendimi, Auditori A1 do të mbajë sërish emrin “Atë Pjetër Meshkalla”, figurë që lidhet ngushtë me historinë, dijen dhe identitetin akademik të Shkodrës.
Jeta dhe veprimtaria e Atë Pjetër Meshkallës
Atë Pjetër Meshkalla u lind në qytetin e Shkodrës, në rrugën e Daulles. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe më pas shkoi për studime teologjike në Linz të Austrisë ku kishte bashkëstudent Dom Kolec Prennushin, në Goricë të Sllovenisë dhe në Fakultetin e Filozofisë në Napoli (Itali). Më 1931 u shugurua meshtar i Shoqërisë së Jezuit në Shkodër dhe dha letërsi, gjuhë shqipe e filozofi në Seminarin Papnor.
Më 1934 themeloi rrethin “Shën Gjon Bosco” për edukimin e rinisë, dhe vazhdoi në Tiranë më 1937 në rrethin e “Shën Pjetrit”.
Në vitin 1945, regjimi komunist i kërkoi bashkëpunim. Por ai, jo vetëm që nuk pranoi, por në predkun e mbajtur me rastin e vdekjes së Imzot Luigj Bumçit, demaskoi hapur regjimin. Për ketë arsye, më 1946 u arrestua. Pas një hetuesie të gjatë, më 18 prill 1947, Gjykata Ushtarake e Granizonit të Tiranës, e dënoi me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave për pesë vjet, si një nga themeluesit e organizatës «Bashkimi Kombëtar» dhe për agjitacion e propagandë. Në po këtë gjyq u dënuan edhe Dom Shtjefën Kurti e Imzot Irine Banushi. Dënimin e vuajti në disa kampe pune dhe në burgun e Burrelit, prej ku dhe u lirua më 1961, por pa të drejtën e shërbimit si meshtar. Kur në Shkodër po zhvillohej Revolucioni kulturor, ai i dërgoi një letër Mehmet Shehu, ku në fund i shkruante: “Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqsore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit”. Ndaj, më 29 prill 1967, në Institutin Pedagogjik të Shkodrës, u organizua një mbledhje për “demaskimin” e veprimtarisë së tij. Dhe më 19 korrik të po atij viti, me vendim nr. 44, Gjykata e Shkodrës e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë për “agjitacion e propagandë”.
Pas lirimit më 1978, u internua në kampin e Vlorës. Vdiq me 28 korrik të vitit 1988. Është kleriku i parë që u dekorua më 1992 “Pishtar i Demokracisë”. Në nderim të persekutimit dhe qëndrimit të tij përgjatë regjimit komunist, Jezuitët i vunë emrin e tij shkollës së mesme që mëkëmbi Kolegjin e moçëm Saverian.
