Një tjetër akt vandalizmi ka dëmtuar infrastrukturën e ndriçimit publik në hyrje të qytetit të Shkodrës, pranë Kishës së Zojës, duke shkaktuar probleme serioze në një nga nyjet më të rëndësishme hyrëse të qytetit. Sipas inxhinierit Elsid Sadiku nga Ndërmarrja e Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Shkodër, autorët kanë vjedhur rreth 150 metra linjë kabulli të ndriçimit rrugor, shtyllat, kapakët e shtyllave si dhe morseteritë elektrike.
Ky nuk është rasti i parë i dëmtimit të infrastrukturës publike në qytet. Vetëm një javë më parë u zbulua dhe u parandalua një tjetër tentativë për vjedhjen e kabullit të ndriçimit publik pranë Urës së Bunës.
Menjëherë pas konstatimit të dëmtimit, ekipet në terren ndërhynë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e ndriçimit në funksion, me qëllim garantimin e sigurisë për qytetarët dhe shmangien e rrezikut për aksidente në këtë aks me qarkullim të lartë.
Dëmtimi dhe vjedhja e infrastrukturës publike jo vetëm që dëmton investimet e qytetit, por cenon drejtpërdrejt sigurinë dhe shërbimet për qytetarët.
