Qindra besimtarë myslimanë të Shkodrës kanë falur namazin e Kurban Bajramit në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje, në sheshin pranë Xhamisë “Ebu Bekër”. Atmosfera u karakterizua nga lutjet, mesazhet e paqes dhe solidariteti mes besimtarëve.
Ceremonia e faljes u udhëhoq nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili para besimtarëve mbajti edhe ligjëratën e rastit. Në mesazhin e tij, Myftiu Sytari vuri theksin te ruajtja e vlerave fetare, familjare dhe kombëtare, ndërsa bëri thirrje që qytetarët të mos largohen nga vendi, por të kontribuojnë për të ardhmen e tij.
Kurban Bajrami konsiderohet një nga festat më të rëndësishme në kalendarin islam. Ajo simbolizon sakrificën, devotshmërinë dhe solidaritetin njerëzor, duke kujtuar gatishmërinë e profetit Ibrahim për të sakrifikuar të birin në emër të Zotit. Në këtë ditë, besimtarët ndajnë ndihma për familjet në nevojë dhe përcjellin mesazhe bashkimi, paqeje dhe mirëkuptimi.
Uron Kurban Bajramin Arqidioqeza
Arqidioqeza Metropolitane Shkodër-Pult ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e festës së Kurban Bajramit, drejtuar besimtarëve myslimanë dhe Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed Sytari.
Në mesazhin e firmosur nga Imzot Giovanni Peragine, theksohet rëndësia e paqes, dialogut dhe bashkëjetesës fetare. Ai vlerëson sakrificën, dashurinë për tjetrin dhe kujdesin ndaj njerëzve në nevojë si vlera që përcjell kjo festë.
Arqipeshkvi Peragine shprehet se Shqipëria mbetet një shembull i çmuar i harmonisë ndërfetare, duke uruar që kjo ditë e shenjtë të sjellë më shumë paqe, shpresë dhe mirëkuptim mes njerëzve.
Në fund të mesazhit, ai uron nga zemra të gjithë besimtarët myslimanë: “Gëzuar Festën e Kurban Bajramit!”.

