Një ndër hapësirat më të njohura dhe simbolike të qytetit të Shkodrës, Fusha Çelë, mbart një histori të pasur që lidhet me zhvillimin urban, kujtesën qytetare dhe debatet historike mbi origjinën e emrit të saj. Në veprën monumentale “Shkodra dhe Motet”, studiuesi i njohur shkodran Hamdi Bushati sjell një përshkrim të detajuar mbi transformimin dhe historikun e kësaj zone.
Sipas Bushatit, deri para vitit 1936, Fusha Çelë ishte një zonë varrezash, ku shenjat e varreve dalloheshin që nga hyrja e parkut deri pranë Institutit Pedagogjik 2-vjeçar. Më pas, me iniciativën e kryetarit të Bashkisë së asaj kohe, Zenel Prodani, kjo hapësirë u kthye në park publik, duke u konsideruar ndër më të mëdhenjtë dhe më të bukurit e qytetit.
Pas Çlirimit të Shkodrës, parkut iu shtua edhe pjesa tjetër e varrezave pranë xhamisë, ndërsa zona mori një karakter memorial. Në këtë park u vendosën bustet e “Branko Kadisë”, “Luigj Gurakuqit”, “Vaso Kadisë” dhe “Perlat Rexhepit”, figura të rëndësishme të historisë shqiptare.
Një pjesë me interes të veçantë në studimin e Bushatit lidhet me origjinën e emrit “Fusha Çelë”. Autori thekson se sipas dëshmive të pleqve, fusha kishte qenë lënë vakëf nga një person i quajtur Selim Çela, ndërsa më vonë pati pretendime nga kisha katolike për ta konsideruar pronë të saj, duke u mbështetur te ideja se emri lidhej me “qelën”.
Megjithatë, Bushati evidenton se gjykata e kohës mori parasysh dëshmitë tradicionale të banorëve, të cilët pohonin se ajo tokë nuk kishte qenë asnjëherë pronë e kishës katolike.
Në analizën historike, studiuesi sqaron se para pushtimit osman dhe disa shekuj më parë, pjesa më e madhe e Shkodrës ishte e pambushur me ndërtime, me pyje, ara dhe kullota, ndërsa faltoret dhe banesat ishin të përqendruara kryesisht rreth Kalasë së Rozafës dhe lagjes së vjetër.
Bushati i referohet edhe autorit P. Kordinjano, i cili shkruan se kishat dhe qelat ndodheshin në qytetin e vjetër pranë kështjellës, duke mos përmendur ekzistencën e ndonjë qeleje në zonën e Fushës Çelë. Kjo, sipas studiuesit, e dobëson teorinë që emri i zonës lidhej me “qelën”.
Një tjetër detaj interesant është se pjesa veriore e Fushës Çelë, në periudhën e qeverive të para shqiptare, ishte përdorur si treg drush, ndaj për një kohë të gjatë njihej edhe si “Fusha e Druve”. Po ashtu, zona ishte quajtur edhe “Fusha Hasar Riza”, në kujtim të heroit Hasan Riza Pasha, i cili u vra pikërisht në atë territor.
Sot, Fusha Çelë mbetet një nga hapësirat më të njohura të Shkodrës, ku ndërthuren historia, kujtesa qytetare dhe identiteti urban i qytetit.
Fragment nga vepra “Shkodra dhe Motet” e studiuesit Hamdi Bushati
“Fusha Çelë”
Kjo fushë deri para vitit 1936 ishte fushë varrezash. Shenjat e varreve dalloheshin që prej rrugës ku fillon parku e deri tek Instituti Pedagogjik 2-vjeçar. Në vitin 1936 e mbrapa, me iniciativën e kryetarit të Bashkisë së vendit, Zenel Prodani, Fusha e Çelës u ndryshue në park e mund të themi se asht ma i madhi e ma i bukuri i qytetit. Me Çlirimin e Shkodrës këtij parku iu bashkue edhe pjesa tjetër e varrezave të xhamisë. Ky park i madh u asht kushtue katër heronjve e dëshmorëve të popullit, bustet e të cilëve ndodhen mbi lapidarë: busti i “Branko Kadisë”, “Luigj Gurakuqit”, “Vaso Kadisë” dhe “Perlat Rexhepit”.
Përsa i përket historikut të Fushës Çelë, pleqtë na tregojnë se fusha në fjalë ka qenë lanë vakuf, që në kohna të kalueme nga i quejtuni Selim Çela. Megjithëse nuk kemi takue në ndonjë dokument që të na sqaroje realitetin e zotnimit të saj, informohemi se në fillim të regjimeve shqiptare, kisha katolike ka qenë orvatë ta shtjerë në dorë si pasuni të sajen, tue pretendue se fusha quhej “e qelës” prandaj ishte pronë e kishës.
Mbasi kisha nuk mundi ta faktonte pretendimin e saj para gjyqit, gjykata mori parasysh dëshminë e pleqve, të cilët, në bazë të traditës familjare të tyne, vërtetuen se ajo fushë nuk ka qenë asnjëherë e kishës katolike.
Sidoqoftë e vërteta historikisht asht kjo: para invazionit edhe disa qindvjet mbrapa, tue fillue me lagjen Zdralej, Parrucë etj. pothuej se krejt qyteti i Shkodrës ishte pyllinë, ara, mera e shkretiëtinë pa banesa, pa kisha, pa qela e pa xhamia, me përjashtim të Lagjes së Rrmajve. Me grumbullimin e popullsisë urbane nisin të ndërtohen faltore e banesa të tjera.
Siç kemi thanë ma sipër, në shekullin XV qyteti i Shkodrës ishte i ndërtuem rreth kalasë Rozafat dhe matanë Bunës. Autori i librit (L’Albania) p. Kordinjano S.J. në faqen 27 thotë: “Selia e ipeshkëvit (Domus episcopi, 1251) ishte në qytet; mundet para pushtimit osman, përbri kishës katedrale (1403) e S. Stefano Protomartir”. Ai autor po aty thotë: “Kjo kishë mendohet se asht Xhamia e Hynqarit, tue shkue në Qafë”.
Fjalën e kemi te Fusha e Çelës, pra siç kuptohet edhe nga përmbajtja e sipërme e P. Kordinjanos, kishat e qelat kanë ekzistue në qytetin e vjetër për rreth kështjellës e nuk përmendet ndokund që të ketë qenë ndonjë kishë ase qelë në zonën Fusha e Çelës, e që të mund të quhej pra “e qelës”.
Po kështu edhe në “100-Vjetorin e Katedrales” së Shkodrës përpilue prej Gjush Sheldisë, në faqen 64, ku shkruhet rreth qelës së vjetër, thuhet: “Kjo (qela) ka qenë në rrugicën e Rrakocajve”. Autori nuk tregon të ketë pasë ndonjë qelë tjetër afër Fushës së Çelës e që kjo fushë të ketë mbajtë emërtimin “Fusha e qelës”.
Pjesa veriore e Fushës Çelë në periudhën e qeverive të para shqiptare, ishte caktue për treg drush dhe për një kohë të gjatë u quejt Fusha e Druve. Kjo fushë u pat quejtë edhe Fusha Hasar Riza, në kujtim të heroit, i cili, përveç banesës, aty, mbeti i vramë po në atë fushë.
