Kjo e hënë ka shënuar nisjen e punimeve për një tjetër investim infrastrukturor në plazhin e Velipojës. Bashkia Shkodër ka nisur rikonstruksionin e rrugës paralele përgjatë pedonales, një ndërhyrje e kërkuar prej kohësh nga bizneset e zonës dhe që synon të përmirësojë qarkullimin dhe hapësirat publike në prag të sezonit turistik.
Në nisjen e punimeve ishte i pranishëm kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili u shpreh se ky investim do t’i shërbejë jo vetëm bizneseve që operojnë në Velipojë, por edhe pushuesve që frekuentojnë plazhin gjatë verës.
Sipas projektit, rruga do të ketë dy korsi lëvizjeje, korsi të dedikuara për biçikleta si dhe një hapësirë të gjelbër përgjatë pedonales, duke synuar krijimin e një ambienti më funksional dhe më estetik për zonën turistike.
Punimet për fazën e parë të këtij investimi parashikohet të përfundojnë në fund të muajit qershor. Paralelisht, Bashkia Shkodër po vijon edhe sistemimin e brezit ranor, hapësirave publike dhe elementëve të tjerë infrastrukturorë, me synimin që Velipoja të jetë plotësisht gati për sezonin veror dhe pritjen e pushuesve në fillim të muajit qershor.
