Rreth 120 fëmijë që ndjekin kurset e pikturës pranë Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Kujtim Alija” në Shkodër shfaqën punimet e tyre më të mira në një ekspozitë që tërhoqi interesin e prindërve, nxënësve dhe dashamirësve të artit.

Në përbërje të saj ishin punime të larmishme me motive nga natyra, qyteti dhe imagjinata e fëmijëve, duke evidentuar talentin dhe pasionin e fëmijëve për pikturën. Përgjegjësi i artit në QKF “Kujtim Alija”, Ermir Zoga, u shpreh se interesi për kursin e pikturës vijon të jetë i lartë, ndërsa numri i fëmijëve të angazhuar është në rritje nga viti në vit.

Drejtoresha e QKF “Kujtim Alija”, Orjeta Kelaj, tha se kalendari artistik i institucionit do të vijojë me aktivitete të shumta edhe në javët në vazhdim, ndërsa në fundin e majit nis edhe Festivali i 64-t për Fëmijë.

Instruktorët e kursit të pikturës, Ditmar Ademi dhe Uendi Selmani, vlerësuan përkushtimin dhe kreativitetin që tregojnë fëmijët gjatë zhvillimit të kurseve artistike.

Mes pjesëmarrësve ishte edhe Matilda Mjacaj, e cila prezantoi disa punime të frymëzuara nga natyra dhe detajet artistike që preferon të pasqyrojë në pikturat e saj.

Ekspozitën e vizituan grupmosha të ndryshme duke krijuar një atmosferë plot ngjyra e emocion, si dhe duke e kthyer ambientin përpara QKF “Kujtim Alija” në një hapësirë të vogël arti për fëmijët e qytetit.