Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, studiuesja e njohur italiane Lucia Nadin u nderua me titullin e lartë akademik “Doktor Honoris Causa”, si vlerësim për kontributin e saj të çmuar në studimet shqiptare dhe albanologjike.

Titulli iu akordua me propozim të Departamentit të Historisë dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike, pas miratimit nga Senati Akademik i Universitetit të Shkodrës dhe Ministria e Arsimit. Gjatë ceremonisë, rekomandimet për dhënien e këtij vlerësimi u paraqitën nga dekani i Fakultetit të Shkencave Shoqërore, Prof. Dr. Artan Haxhi, si dhe nga Prof. Dr. Nertila Haxhija e Qendrës së Studimeve Albanologjike.

Në fjalën e tij, rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Tonin Gjuraj, theksoi rëndësinë e këtij nderimi për institucionin dhe vetë qytetin e Shkodrës, duke vënë në dukje lidhjen e fortë që qyteti ka me historinë, kulturën dhe albanologjinë.

Sipas tij, çdo kontribut që ndihmon në ndriçimin e historisë dhe identitetit të Shkodrës, forcon edhe misionin akademik të universitetit dhe e vendos qytetin në dialog me kulturën europiane.

Ceremonia u konsiderua si një moment i rëndësishëm akademik dhe kulturor për Universitetin e Shkodrës, ndërsa vlerëson figurën e Lucia Nadin si një nga personalitetet që ka kontribuar ndër vite në promovimin e historisë, kulturës dhe identitetit shqiptar në arenën ndërkombëtare.