Ka nisur asfaltimi i segmentit të rrugës nacionale nga rrethrrotullimi i Rusit deri pranë zonës së Doganës në Shkodër, një ndërhyrje e shumëpritur për banorët dhe drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë çdo ditë në këtë aks.

Punimet po realizohen pas përfundimit të investimit të ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime Shkodër për rehabilitimin e rrjetit të ujit të pijshëm në këtë zonë, investim që solli edhe dëmtime të përkohshme të infrastrukturës rrugore gjatë fazës së ndërhyrjeve nëntokësore.

Nga afër punimet i kanë ndjekur kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, së bashku me drejtorin e Ujësjellës Kanalizime Shkodër, Besmir Lesha. Ata theksuan se ndërhyrja do të rikthejë standardet e qarkullimit dhe do të përmirësojë ndjeshëm lëvizjen në këtë segment problematik.

Sipas autoriteteve vendore, punimet synojnë jo vetëm rikthimin e plotë të infrastrukturës rrugore, por edhe krijimin e kushteve më të mira për banorët dhe bizneset përgjatë këtij aksi të rëndësishëm hyrës në qytetin e Shkodrës. Ndërkohë, investimi në rrjetin e ujësjellësit pritet të sjellë përmirësim të furnizimit me ujë të pijshëm për gjithë zonën.